Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pret në një takim ambasadoren e Indisë për Shqipërinë, Manimekalai Murugesan.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim ambasadoren e Indisë për Shqipërinë, Manimekalai Murugesan, e cila qendron me rezidencë në Bukuresht, Rumani.
Në takim u shpreh interesi reciprok për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Kështu, shkëmbimet e vizitave në nivele të larta politike, por edhe përmes komisioneve parlamentare, forcimi i bashkëpunimit ekonomik, inkurajimi i investitorëve në fusha të ndryshme, shkëmbimet tregtare, kulturore etj, ishin pjesë e bisedës që Kryetarja e Kuvendit pati me ambasadoren Murugesan.
Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria dhe India kanë një vlerë unike që i bashkon dhe ajo është figura e madhe e Nënë Terezës.
Me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit përcolli përmes ambasadores Murugesan ftesën Kryetares së Parlamentit të Indisë, Meira Kumar për të vizituar Shqipërinë, në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.