Kryetarja e Kuvendit merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të varësisë dhe trajtimi të drogave.
Fjala e Kryetares së Kuvendit në Konferencë
Të nderuar organizatprë
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,
Më lejoni që pikë së pari t’ju falenderoj nga zemra për organizimin e kësaj konference kaq të rëndësishme në Tiranë.
Duke menduar problemin drogë, reagimi im i parë është hidhërim majft i madh. Hidhërim për të gjithë ata persona që për arsye të ndryshme, duke rrezikuar shumë, bien pre e përdorimit të drogës. Bien pre e dëshpërimit dhe zhgënjimit. Të shumtë janë ata që, fatkeqësisht, bien pre e drogës nga kureshtja ose nga “dëshira të ndihen ndryshe”. Ajo është një rrezik që vjen nga padija, nga mëndjelehtësia dhe nga egoizmi që na ndalon të kuptojmë kërcënimin që i bëhet vetë jetës sonë dhe asaj të fëmijëve tanë.
Droga nuk është gjë tjetër vetëm se një iluzion që prish projektet e së ardhmes! Një iluzion që gjymton jetë njerëzish pa mëshirë, ngadalë - ngadalë. Ajo shkatërron personalitetin e njeriut. Është një vrasës pa identitet! Ajo është e keqja madhore e njeriut. Ajo bën gjithmonë keq e vetëm keq nga ana fizike, psikologjike, shpirtërore, familjare, shoqërore si edhe në aspekin e punës dhe atë kulturor. Droga ia dorëzon njeriun vartësisë! Ajo e burgos individin brenda mureve të saj të padukshme!
Droga, për fat të keq, është një problem social me një përhapje botërore që përfshin të gjithë shoqërinë pa dallime të moshës, seksit dhe klasës sociale. Është problemi më serioz që njeh shoqëria bashkëkohore.
Përdorimi i substancave narkotike e modifikon gjendjen e ndërgjegjes së individit duke e shndërruar totalisht në mënyrë negative. Ato janë rreziku i madh për të gjithë të rinjtë, prindërit, edukatorët dhe familjet shqiptare. Shumë prej tyre janë fatale dhe ndikojnë negativisht duke shkaktuar dëmtime fizike, psikologjike, emocionale në gjithë shoqërinë. Ajo është një plagë e rëndë që duhet elemimuar nga shoqëria jonë.
Ne duhet të nxisim vlerat e jetës dhe të përbuzimin veset. Çdonjeri nga ne duhet ta shoh abuzimin me substancat narkotike si fenomem që duhet parandaluar me çdo kusht. Ne po e luftojmë këtë fenomen negativ me çdo mjet civil dhe ligjor.
Rritja e vëmendjes për problemin e drogës në shoqërinë tonë ka gjetur një përkushtim të vazhdueshëm nga të gjithë ne. Rol të veçantë në ndërgjegjësimin e opinionit kanë patur shkollat dhe familjet tona.
Ashtu siç qe premtuar është hapur, pak muaj më parë, Qendra Shtetërore për trajtimin dhe kurimin e të gjithë personave që kërkojnë të dalin nga vartësia e drogave dhe t’i rikthehen aktiviteteve normale. Nën përkujdesjen e veçantë të shtetit shqiptar me anë të një grupi ekspertësh të specializuar, i cili përbëhet jo vetëm nga mjekë por edhe nga psikologë dhe punonjës social, kemi bërë të mundur rehabilitimit dhe rikthimin e të jetuarit në botën e vërtetë të shumë personave.
Kohë më parë kam patur fatin e madh të vizitoj një qendër rehabilitimi në Tiranë (Qendra Emanuel). Aty jam takuar dhe kam bashkëbiseduar me persona të cilëve i është ofruar një shans i dytë për të dalë nga tuneli i errët ku vetë ata me përgjegjësi të plotë pranonin se kishin hyrë. Ata të rinj, në mes të të cilëve kishte dhe prindër të divorcuar për shkak të drogës, përmes vullnetit të madh, sportit, punës, pikturës dhe artit, ia kanë dalë mbanë t’i rikthehen jetës normale. Më bëri jashtë mase përshtypje se sa me dashuri kujdeseshin për njëri-tjetrin.
Të dashur të rinj dhe të reja
Në çfarëdo niveli apo pozite të jeni, ju mund, ju duhet, të jepni kontributin tuaj të çmueshëm në luftën kundër drogës. Ajo është një betejë për të drejtat themelore të njeriut, të drejtën e fëmijëve për t’u zhvilluar në një ambient familjar dhe social të shëndetshëm.
Ne duhet të jetojmë në një shoqëri pa drogë. Askush nuk duhet të bëhet “ushtar i bindur” i asnjë lloj droge. Natyrisht, nuk është e lehtë për t’u çliruar nga ky përbindësh monstruoz. Beteja kundër varësisë nga droga kërkon forcë të madhe, vullnet të madh. Kërkon në radhë të parë bashkëpunim dhe kooperim midis shtetit, familjes, mësuesit, mjekut.
Të gjithë ne duhet t’i japim atyre një mbështetje të madhe, duhet t’i ndodhemi sa më pranë. Duhet të sforcohemi për t’i kuptuar sa më shumë dhe jo t’i paragjykojmë nëse kanë gabuar në një ditë të errët të jetës së tyre.
Unë si prind, si nënë e dy fëmijëve i bëj thirrje të gjithëve të qëndrojnë sa më larg këtyre helmeve. Dashurohuni më shumë me jetën dhe i thoni JO DROGËS!
Unë si politikane do të mbështes me vendosmëri dhe palëkundshmëri, me çdo mjet demokratik, me çdo vegël ligjore, luftën kundër drogës.Shqipëria tashmë ka strategjinë kombëtare antitrafik në të cilën janë përcaktuar edhe drejtimet kryesore të punës për realizimin e parandalimit dhe të trafikimit të drogës.
Unë dua të falenderoj cilindo nga ju, një nga një, për punën e madhe që po bëni!.
Ju Falemnderit!